Gashani: Marrëveshjet me Francën, hap vendimtar drejt Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030
Ministri në detyrë i Rinisë dhe i Sportit, Blerim Gashani, e ka cilësuar si një moment historik për sportin e Kosovës nënshkrimin e Deklaratës së Synimit për themelimin e Komitetit Francezo-Kosovar për mbështetjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe Marrëveshjes së Kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD).
Përmes një postimi në Facebook, Gashani ka thënë se këto dy dokumente paraqesin një hap vendimtar në rrugëtimin drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe do të mundësojnë mbështetjen e investimeve infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje sportive.
Ai ka theksuar se që nga dita e parë e marrjes së detyrës si ministër, një nga prioritetet kryesore ka qenë krijimi i kushteve për realizimin e këtij partneriteti strategjik.
Sipas tij, pas muajsh pune intensive, koordinimi institucional dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë u kurorëzuan me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, të cilat hapin një kapitull të ri për sportin dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.
Gashani ka falënderuar Republikën Franceze, Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), si dhe të gjithë partnerët dhe institucionet që kontribuuan në këtë proces, duke vlerësuar se ky është rezultat i një pune të përbashkët dhe i një vizioni të qartë për ta pozicionuar Kosovën në mesin e organizatorëve të ngjarjeve më të mëdha sportive ndërkombëtare. /Kosova.info/
