AKB: Kosova renditet e dyta më e varfër në Evropë – kërkohet paketë emergjente ekonomike

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë pas raportit të fundit ndërkombëtar për GDP për kokë banori sipas PPP-së, ku Kosova renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë, shkruan Kosova.info.

Sipas AKB-së, ky renditje është “pasqyrë e qartë e degradimit ekonomik ndër vite” dhe dëshmi e dështimit institucional për të krijuar politika të qëndrueshme zhvillimore dhe një klimë të favorshme për bizneset dhe investitorët.

Në reagim, Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se, pavarësisht potencialit njerëzor, diasporës së fuqishme dhe resurseve zhvillimore, Kosova vazhdon të mbetet e varur nga importi, konsumi dhe remitancat e diasporës.

AKB rendit disa nga problemet kryesore që po rëndojnë sektorin privat, duke përfshirë rritjen e kostos së energjisë, mungesën e mbështetjes shtetërore, pasigurinë ekonomike dhe politike, burokracinë e rëndë, ekonominë joformale dhe mungesën e strategjisë për prodhimin vendor.

Sipas AKB-së, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në largimin e qytetarëve dhe dobësimin e perspektivës ekonomike të vendit.

Organizata kërkon masa urgjente, duke përfshirë një paketë emergjente për prodhimin vendor, ulje të barrës fiskale për bizneset, strategji kombëtare për investime dhe eksporte, si dhe dialog të rregullt institucional me sektorin privat.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk mund të ndërtojë zhvillim ekonomik me “propagandë politike”, por vetëm përmes ekonomisë reale, prodhimit dhe investimeve.

Go to TOP