Ajvazi drejton akuza ndaj Rizvanollit: Bizneset po mbyllen, përgjegjës është ZRRE dhe Qeveria!

Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka lëshuar një reagim të ashpër publik ndaj ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke e akuzuar për heshtje dhe për neglizhencë ndaj krizës me të cilën po përballen bizneset prodhuese në vend.

Ajvazi e ka ftuar Rizvanollin të dalë publikisht dhe të pranojë se ka dërguar një opinion ligjor në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me të cilin, sipas tij, është pranuar se bizneset janë detyruar në mënyrë të jashtëligjshme të dalin në tregun e lirë të energjisë.

“Mos hesht! Dil dhe prano se bizneset prodhuese janë lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë masë mbrojtëse, ndërkohë që çmimet sot janë disa fish më të larta se ato që postoje me krenari ‘68 euro për megavat’orë’”, ka deklaruar Ajvazi.

Ai ka kritikuar mungesën e subvencioneve dhe të politikave mbështetëse të premtuara për prodhuesit vendorë duke theksuar se shumë prej tyre tashmë janë detyruar të mbyllin dyert duke humbur vende pune dhe duke dëmtuar ekonominë vendore.

Ajvazi ka kërkuar sqarime edhe për moslëshimin e faturave të muajit qershor nga ana e KEK-ut duke ngritur dyshime për qëllime të fshehta prapa kësaj vonese.

“Pse KEK ende nuk ka lëshuar asnjë faturë për muajin qershor? Çfarë po fshihet pas kësaj vonese? Pse po i mbani bizneset peng?”, ka pyetur Ajvazi. /Kosova.info/

Go to TOP