Ahmeti: Javët e vetëdijesimit janë të rëndësishme, por zjarrfikësit kanë nevojë për pajisje e kushte dinjitoze
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave civile, ka reaguar lidhur me aktivitetin e nisur sot nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e cila hapi Javën e aktiviteteve me një ekspozitë të pajisjeve të zjarrfikjes dhe shpëtimit.
Ahmeti e cilëson këtë aktivitet si një hap të mirë për vetëdijesimin qytetar dhe për promovimin e rolit të strukturave të mbrojtjes dhe shpëtimit. Megjithatë, ai thekson se realiteti në terren është shumë më sfidues.
“Sot shumë komuna përballen me mungesë të pajisjeve themelore, automjete jashtë standardit dhe staf të pamjaftueshëm. Është mirë të vetëdijësojmë qytetarët, por është edhe më e rëndësishme të krijojmë kushte dinjitoze për ata që përpiqen të na shpëtojnë jetën dhe pronën në çdo emergjencë,” deklaroi Ahmeti.
Ai shton se pa një përkushtim të vërtetë institucional për përmirësimin e kushteve të zjarrfikësve dhe njësive të reagimit emergjent, aktivitete të tilla mbesin vetëm si fasadë, pa ndikim të vërtetë në përmirësimin e sigurisë publike.
Ahmeti apelon për investime konkrete në pajisje moderne, trajnime profesionale dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore në të gjitha komunat e vendit, në mënyrë që shërbimi i emergjencave të jetë i gatshëm dhe efektiv në çdo situatë. /Kosova.info/
