Ahmeti: Ilazi ishte mishërim i përpjekjes së pandalur për çlirimin e Kosovës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në 26-vjetorin e rënies heroike, ka kujtuar heroin Ilaz Kodra. Ai ka thënë se me nderim e përulësi kujtojmë një ndër figurat më të ndritura të luftës për liri.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i BDI-së ka theksuar se “Bashkëluftëtar i Fehmi Lladrovcit e Adem Jasharit, Ilazi ishte mishërim i përpjekjes së pandalur për çlirimin e Kosovës, i edukuar me idealet e Hasan Prishtinës, Azem Bejtës e Shotë Galicës, duke e ushqyer shpirtin me historinë e ndaluar që lexohej fshehurazi”.

“Këta burra e gra që dhanë gjithçka për lirinë e vendit, janë sot të pranishëm në sheshet kryesore të derdhur në bronz që mban emrin e tyre. Dëshmi se liria nuk erdhi vetvetiu, por u fitua me gjakun e tyre të freskët, me sakrificën e atyre që nuk kursyen as jetën për të ardhmen tonë”, ka shtuar ai.

Po ashtu Ahmeti tha se brezat e rinj duhet ta ruajnë kujtimin dhe mësimin nga kjo rrugë e vështirë, që na solli paqe në një kohë sfiduese. Lavdi e përjetshme Ilazit dhe të gjithë të rënëve për liri!. /Kosova.info/


Go to TOP