Rama i drejtohet ministrisë me kërkesë urgjente për ndarjen e buxhetit të kryeqytetit për vitin 2025

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar me një letër zyrtare Ministrisë përkatëse duke kërkuar urgjentisht ndarjen e buxhetit për Kryeqytetin për vitin 2025. Letra, e dërguar më 28 prill 2025, thekson shqetësimet për mungesën e përgjigjes lidhur me kërkesën e mëparshme të datës 4 prill dhe paralajmëron pasoja serioze nëse nuk bëhet alokimi i nevojshëm buxhetor.

Në dokumentin zyrtar, Rama nënvizon se për shkak të vonesave në konstituivin e institucioneve qendrore, funksionimi i rregullt i shërbimeve në Kryeqytet është vënë në rrezik të madh. Ai thekson se mungesa e buxhetit për vitin 2025 mund ta fusë Prishtinën në një krizë të thellë financiare dhe sociale duke penguar zhvillimin urban dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Kemi ofruar një zgjidhje deri te konstituivi i institucioneve qendrore, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap nga ana juaj,” thekson Rama në letër duke shtuar se kjo situatë po e përkeqëson ndjeshëm gjendjen në Kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës i bën thirrje Ministrit që të ndërmerren menjëherë veprimet e nevojshme për të garantuar zbatimin e propozimeve të paraqitura dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizës. Ai përfundon letrën me kërkesën për reagim të shpejtë dhe bashkëpunim institucional. /Kosova.info/


Go to TOP