Ahmeti e ka një ide për mbajtjen “Sunny Hill”, por Lipa e bëri përgjegjës edhe atë për dështimin

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës “e ka autonominë ekskluzive për menazhimin e pronës së vet”, dhe sipas tij, mund t’ia japë tokën prej 17 hektarësh për shfrytëzim festivalit “Sunny Hill”, i cili u zhvendos nga Prishtina në Tiranë për shkak të, siç thanë organizatorët, zvarritjeve të Qeverisë.

“Komuna e ka autonominë ekskluzive për menaxhimin e pronës së vet”, shkroi Ahmeti në Twitter. Ai në një diskutim virtual në këtë rrjet social tha se Komuna nuk është dashur ta presë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi sipas tij, ky dikaster e kishte kaluar afatin për vlerësimin e ligjshmërisë.

Por Dukagjin Lipa, themelues i “Sunny Hill”, ia ndau edhe Ahmetit një pjesë të përgjegjësisë që festivali dështoi të mbahej në Prishtinë sivjet, në letrën ku i njoftoi krerët e shtetit për tërheqjen nga organizimi i festivalit në Kosovë.

“Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë. Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asambleistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-Kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur”, shkori Lipa.

Këtë letër, ai e publikoi në Facebook, ku u shpreh i zhgënjyer që festivali nuk do të mbahet në vendlindjen e tij.

Go to TOP