Agron Halitaj për rastin Klan Kosova: Reagim – jo heshtje

Zëvendëskryeredaktori i televizionit “Tëvë”, Agron Halitaj, ka kërkuar që të reagohet në lidhje me rastin e Klan Kosovës, televizion i cili dje pranoi vendimin e MINT-it për t’ia refuzuar ankesën e dërguar në ARBK për pezullim të certifikatës së biznesit.

Halitaj tha se “nëse sot heshtim ndaj tendencës së pushtetit për t’ia vënë drynin Klan Kosovës, nesër mund të jetë vonë për gjithsecilin”.

Më tej, ai citoi teologun dhe pastorin e shquar gjerman, Martin Niemoller, duke thënë se askush më mirë se ai nuk e ka shpjeguar “se çfarë i gjen ata që qëndrojnë indiferentë dhe nuk reagojnë kur dikush përballet me të keqën”.

“Fillimisht, ata (nazistët) erdhën për socialistët dhe unë nuk fola – sepse nuk isha socialist. Pastaj erdhën për sindikalistët dhe unë serish nuk fola – sepse nuk isha sindikalist. Pastaj erdhën për hebrenjtë dhe unë prapë nuk fola – sepse nuk isha hebre. Pastaj ata erdhën për mua – por atëherë nuk kishte mbetur askush që të fliste për mua”, ka cituar Halitaj pastorin Niemoller, i cili këto vargje i kishte shkruar në kohën e diktaturës naziste.

“Prandaj, reagim- jo heshtje! Pluralizëm medial- jo mbyllje mediash!”, përfundoi Agron Halitaj.

Go to TOP