AGK në 1 maj: Gazetarët dhe punonjësit medialë përballen me pasiguri, paga të ulëta dhe shkelje të të drejtave
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ngritur shqetësimin për kushtet e vështira të punës me të cilat përballen gazetarët dhe punonjësit medialë në Kosovë.
Sipas AGK-së, shumë gazetarë vazhdojnë të punojnë me paga minimale, pa sigurime shëndetësore, pa kontrata stabile dhe pa kushte të dinjitetshme pune. Po ashtu, është theksuar se natyra e profesionit bën që shpesh Ligji i Punës të mos zbatohet në mënyrë të barabartë, pasi gazetarët punojnë orë të gjata, gjatë ditëve të pushimit dhe festave, pa kompensim adekuat.
AGK ka vlerësuar se situata është edhe më shqetësuese për gratë gazetare, të cilat përballen me pengesa në ushtrimin e të drejtave si pushimi i lehonisë dhe e drejta për gjidhënie.
Një tjetër problem i theksuar është mungesa e një sindikate gjithëpërfshirëse që do të përfaqësonte punonjësit medialë dhe do të mbronte të drejtat e tyre.
Asociacioni i ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës dhe institucioneve përgjegjëse që të shtojnë mbikëqyrjen dhe të ndërmarrin veprime konkrete ndaj shkeljeve në sektorin medial, ndërsa pronarëve të mediave u ka kërkuar respektimin e legjislacionit dhe sigurimin e kushteve të dinjitetshme për stafin.
AGK gjithashtu ka inkurajuar gazetarët, kameramanët dhe fotografët që të mos i normalizojnë abuzimet dhe të kërkojnë mbrojtje sa herë që të drejtat e tyre cenohen. /Kosova.info/
