AGK: Mediat nuk lejohen të përcjellin punimet e seancës së KK të Mitrovicës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj Komunës së Mitrovicës Veriore pasi mediat nuk u lejuan të përcjellin punimet e seancës së Kuvendit. 

Sipas njoftimit të AGK-së, gazetarë të mediave në gjuhën shqipe dhe serbe janë larguar sot nga përcjellja e punimeve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore.

“Sipas raportimeve, deri tek largimi ka ardhur pasi një aktiviste politike ka dashur të flasë në seancë, dhe me përjashtimin e saj janë përjashtuar edhe gazetarët”, thuhet në njoftim.

AGK-ja thotë se e dënon këtë vendim të këtij organi komunal, i cili shkon në kundërshtim me transparencën që nevojitet për diskutime për tema me rëndësi për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë komunë.

“Kuvendi Komunal, kryesuesi dhe kryetari duhet të kujdesen që të krijojnë kushtet e nevojshme që mediat e interesuara të përcjellin punimet, të papenguar”, thuhet tutje në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP