AGK e quan formë presioni kërkesën e FFK-së

Formë presioni ndaj medieve dhe gazetarëve e ka quajtur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, ku ka shprehur pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës.  

Së fundmi, pas ndeshjeve të Ligës së Kombëve, veçmas pas humbjes nga Rumania, FFK-ja dhe menaxhimi i Kombëtares ka zgjuar debat në shoqëri. Ankesat kanë ardhur sidomos pas përjashtimit nga grumbullimi të tre futbollistëve, Edon Zhegrova, Arijenet Muric dhe Florent Muslija.   

AGK ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës lejon Lirinë e shprehjes. 

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar një kërkesë nga Federata e Futbollit të Kosovës, në të cilën ajo shpreh pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës. Në letër, FFK-ja, akuzon, pa asnjë bazë, disa emisione sportive se po bëjnë “fushatë mediale kundër FFK-së”.  

AGK-ja, e konsideron këtë letër të hapur të FFK-së, si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë”, ka theksuar AGK. “Liria e shprehjes dhe liria e medies janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe është detyrë e gazetarëve dhe medieve, që ta mbajnë FFK-në përgjegjëse për vendimet dhe veprimet e saj”. /Kosova.info/

Go to TOP