AGK dënon pengimin e gazetarit të T7 nga sigurimi i Kurtit: Kërkohet garantimi i kushteve të punës për mediat
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj një incidenti të ndodhur sot, ku gazetari i Televizionit T7, Genc Godanci, është penguar fizikisht nga pjesëtarë të sigurimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, teksa përpiqej të bëjë një pyetje lidhur me Indeksin e Lirisë së Medias të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Në pamjet e publikuara, njëri nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt shihet duke ia kapur fizikisht dorën gazetarit në përpjekje për ta ndaluar, ndërsa një tjetër e pengon më tej qasjen e tij ndaj kryeministrit.
AGK thekson se ky nuk është rasti i parë kur gazetarët pengohen në kryerjen e detyrës së tyre, shpeshherë edhe në praninë e vetë Kurtit. Shoqata kërkon nga Policia e Kosovës dhe kryeministri në detyrë që të garantojnë kushte normale të punës për gazetarët, veçanërisht gjatë paraqitjeve publike të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
“Pengimi fizik i një gazetari për të bërë pyetje përbën shkelje të qartë të lirisë së medias dhe është i papranueshëm në një shoqëri demokratike,” thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK u bën thirrje institucioneve që të sigurojnë trajtim të dinjitetshëm për gazetarët dhe të ndalojnë praktikat që cënojnë të drejtën e informimit publik. /Kosova.info/
