Adriatik Kelmendi sqaron: Debati i parë për Prishtinën në “Rubikon” të hënën, pa kandidatin e LVV-së
Moderatori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas deklarimeve të zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje duke sqaruar situatën rreth pjesëmarrjes së kandidatëve për kryetar të Prishtinës në debatin e parë ballafaques.
Kelmendi theksoi se të hënën, nga ora 21:00, në “Rubikon” të Klan Kosovës do të mbahet debati me katër kandidatët që tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen: Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK), Bekë Berisha (AAK) dhe Besa Shahini (PSD).
Ai ka bërë të ditur se personalisht ka ftuar edhe kandidatin e LVV-së, Hajrullah Çeko, i cili fillimisht është përgjigjur me mirësjellje duke thënë se do të kontaktohet përmes ekipit të tij. Sipas Kelmendit, ka pasur komunikime dhe një takim me përfaqësues të Çekos, por asnjëherë nuk është thënë se kandidati i VV-së nuk do të marrë pjesë në debat.
“Përtej çdo dyshimi, as z. Çeko, as dy përfaqësuesit e tij nuk më kanë thënë ndonjëherë se ai nuk do të vijë në Rubikon. Gjithçka tjetër është spekulim”, tha Kelmendi duke shtuar se vendimi përfundimtar mbetet në dorën e partisë.
Ai e përmbylli reagimin duke i uruar suksese kandidatit të LVV-së dhe duke konfirmuar se debati i parë për Prishtinën do të zhvillohet të hënën me katër kandidatët pjesëmarrës.
👉 Debati: E hënë, ora 21:00, Rubikon, Klan Kosova. /Kosova.info/
