PDK kërkon mandat të ri në Hani të Elezit, premton projekte konkrete

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët e Hanit të Elezit që më 12 tetor t’i japin besimin kandidatit të saj, Mehmet Ballazhi, për një mandat të ri në krye të komunës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë një tubimi me qytetarët, premtoi mbështetje të veçantë për Hanin e Elezit në projekte konkrete.

“Kjo fitore nuk është vetëm e Hanit të Elezit, është fitore për PDK-në, është fitore për Kosovën. Sepse kur ne fitojmë këtu, ne dërgojmë një mesazh të qartë se qytetarët nga çdo anë e vendit dinë ta dallojnë të mirën nga e keqja, dinë t’i shpërblejnë ata që kanë punuar dhe dinë t’i qëndrojnë besnikë rrugës që na ka sjellë deri këtu”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kandidati për kryetar, Mehmet Ballazhi, duke përmendur arritjet e tij gjatë këtij mandati, premtoi projekte të reja për qytetarët.

“Do të bëjmë projekte që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, pavarësisht se në cilën pjesë të Hanit të Elezit jetojnë. Do të investojmë në shkolla, çerdhe, fusha sportive, rritje të numrit të bursave për studentët etj”, u shpreh Ballazhi.

Nga tubimi u tha se më 12 tetor, banorët e Hanit të Elezit do të festojnë edhe një mandat të ri qeverisës për PDK-në.


Go to TOP