Adriana Hasani ngre lart emrin e Kosovës dhe Francës në konferencën më të madhe botërore për industrinë e qerpikëve në Brazil

Adriana Hasani, ambasadore e Kosovës dhe e Francës në industrinë e bukurisë, ka përfaqësuar me dinjitet të dy vendet në konferencën më të madhe botërore për zgjatjen e qerpikëve, e cila këtë vit u mbajt në Brazil.

Themeluesja e Adriana Lashes Academy, e njohur për profesionalizmin dhe inovacionin e saj, u ftua të marrë pjesë në këtë ngjarje prestigjioze si një ndër Top 10 Lash Masters në botë duke u renditur ndër dhjetë artistet më të mira globale të kësaj fushe.

Gjatë prezantimit të saj, Adriana arriti të frymëzojë mbi 1500 pjesëmarrëse nga e gjithë bota, të cilat, së bashku me të, bënë shenjën e shqiponjës – simbol i krenarisë kombëtare shqiptare. Momenti u shoqërua me shumë emocione, pasi edhe pjesëmarrëset ndërkombëtare iu bashkuan këtij gjesti në shenjë respekti dhe admirimi për traditat shqiptare.

E njohur për karrierën e saj të jashtëzakonshme, Adriana Hasani është jo vetëm një Lash Master ndërkombëtare, por edhe një biokimiste në fushën e kozmetologjisë – një kombinim unik që bashkon shkencën e përbërjes së produkteve me artin e zgjatjes së qerpikëve. Kjo e bën atë një nga profesionistet më të respektuara në industrinë e bukurisë botërore.

Në vitet e fundit, Adriana është ftuar si ligjëruese dhe mysafire speciale në disa nga konferencat më të njohura ndërkombëtare, ku ka përfaqësuar me krenari dhe profesionalizëm Kosovën dhe Francën.

Përmes pasionit dhe përkushtimit të saj, Adriana Hasani po ndërton ura midis shkencës, bukurisë dhe identitetit duke dëshmuar se sukseset globale mund të lindin nga përkushtimi dhe dashuria për profesionin, por edhe nga krenaria për origjinën. /Kosova.info/


Go to TOP