Abdixhiku: Tubim i zjarrtë në Dobrajë të Madhe, entuziazëm i jashtëzakonshëm për LDK-në
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubimin e katërt elektoral në fshatin Dobrajë e Madhe të Lipjanit, duke gjetur një pritje të ngrohtë dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm nga banorët. Pas suksesit të tubimit masiv në Shtime, Dobraja dëshmoi mbështetjen e fortë dhe të palëkundur për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Abdixhiku theksoi rëndësinë e projekteve konkrete që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai nënvizoi se programi dhe ekipi i LDK-së përfaqësojnë ambicien e madhe që i duhet Kosovës për të ecur përpara.
“E ardhmja shpresëdhënëse ndërtohet përmes punës dhe vizionit të qartë. Kosovës i duhet LDK-ja, e cila ka projekte të prekshme dhe një ekip të fortë për të bërë ndryshimin,” tha Abdixhiku.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për organizatorin Imri Ahmeti dhe kandidatët nga kjo zonë, përfshirë Shkelzen Hajdinin, Rasim Hasanin, Anila Reçica Llugiqin, Ardian Ollurin dhe Lulzim Zhegrova.
Mesazhi i Abdixhikut ishte i qartë: më 9 shkurt, me numrin 124, LDK-ja synon të sjellë një të ardhme më të mirë për Kosovën.
Tubimi në Dobrajë e Madhe ishte një tjetër dëshmi e mobilizimit të fuqishëm të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/
