Abdixhiku prezanton aderimin e Adelinë Thaçi Metës në LDK

Adelina Thaçi Meta, një nga zërat më të fuqishëm të skenës sonë muzikore, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Kosova.info.

Me një karrierë mbi dydekadëshe në muzikën klasike dhe atë moderne, Adelina vjen me profil të rrallë profesional. Ajo ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se dhjetë vjet, profesoreshë e solo-këndimit për mbi dy dekada dhe ligjëruese universitare në teknika vokale, diksion dhe repertor. Arsimimin e ka ndërtuar në Shkup dhe më pas në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, duke krijuar një bazë të fortë akademike.

Në skenën ndërkombëtare është prezantuar me role operistike, bashkëpunime me dirigjentë të njohur dhe performanca në festivale nga Evropa deri në Shtetet e Bashkuara. Projekti i saj “Dolce Suono” me tenorin José Carreras mbetet një nga arritjet më të spikatura jashtë vendit.

Edhe në muzikën pop, Adelina ka lënë gjurmë me çmime të para në festivale të rëndësishme në Kosovë e Shqipëri, tri albume dhe një sërë projektesh të njohura. Si trajnere vokale dhe themeluese e Ansamblit “Zanat”, ajo ka kontribuar në rritjen e brezave të rinj të artistëve dhe në promovimin e kulturës shqiptare.

Me hyrjen në LDK, Adelina hap një kapitull të ri publik. Partia e sheh si një përforcim të rëndësishëm, duke theksuar profesionalizmin dhe besimin e saj në zhvillimin kulturor të vendit. Sipas burimeve brenda LDK-së, afrimi i saj shihet si pjesë e një hapjeje më të gjerë ndaj figurave nga arti dhe shoqëria civile.

Adelina Thaçi Meta është e martuar me Bardhylin dhe është nënë e dy vajzave, Fionës dhe Melisës./Kosova.info/

Go to TOP