Abdixhiku pret ambasadorin francez Guérot: Qeveria e Unitetit, zgjidhje për krizën institucionale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike, krizës institucionale në vend dhe qëndrimeve të LDK-së për tejkalimin e saj.

Gjatë takimit, Abdixhiku ka ritheksuar propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie të Unitetit si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të rikthyer funksionalitetin e institucioneve demokratike dhe për të dalë nga ngërçi aktual politik. Ai ka theksuar se bllokada institucionale, pas 23 dështimeve radhazi për zgjedhjen e Presidentit të Kuvendit, është e papranueshme dhe dëshmon paaftësinë e partisë në pushtet për të krijuar një shumicë funksionale.

Abdixhiku ka vlerësuar mbështetjen e Francës në proceset shtetformuese dhe demokratizuese të Kosovës dhe ka potencuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve – jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe garantimin e stabilitetit rajonal. /Kosova.info/


Go to TOP