Abdixhiku për Salih Gashin: Humbje e madhe për kryeqytetin dhe gjithë vendin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të akademik Salih Gashit, një prej figurave të shquara të jetës akademike dhe politike në vend.
Në një mesazh të ndjerë drejtuar familjes Gashi dhe komunitetit akademik, Abdixhiku kujtoi me respekt jetën dhe veprën e akademikut Gashi duke theksuar rolin e tij si ish-kryetar i parë i Komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së dhe profesor i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.
“Akademik Salih Gashi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën publike dhe politike të vendit tonë duke u shquar për përkushtimin ndaj qytetarëve të kryeqytetit dhe në organizimin institucional në kohë të vështira për vendin”, thuhet në mesazhin e Abdixhikut.
Ai shtoi se kontributi i tij në edukimin e brezave do të mbetet një vlerë e përhershme, ashtu siç do të mbetet edhe në historinë e LDK-së.
Në fund, Abdixhiku i shprehu ngushëllime familjes Gashi, kolegëve në Universitetin e Prishtinës dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duke theksuar se “humbja e tij është një humbje për të gjithë ne”.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e tij!”, përfundon mesazhi i kryetarit të LDK-së. /Kosova.info/
