Abdixhiku në Suharekë: mesazh i qartë për ndryshim dhe fuqizim të LDK-së
Suhareka, simbol i shpresës dhe i përkushtimit për ndryshim, mirëpriti sot liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, në kuadër të Turneut të Ndryshimit. Në një tubim masiv dhe të jashtëzakonshëm, qytetarët e Suharekës u shprehën njëzëri në mbështetje të ndryshimit që po troket në dyert e Kosovës.
Duke folur para mbështetësve, Abdixhiku e përshkroi Suharekën si një simbol të shpresës dhe një pikë të rëndësishme në rrugëtimin për një Kosovë më të mirë. “Rrjedha e pandalshme e njerëzve të vendosur, plot pasion dhe vullnet, po e karakterizon çdo ndalesë të Turneut të Ndryshimit. Sonte, Suhareka na dha më shumë se pjesëmarrje – ajo na dha një mesazh të qartë: ndryshimi po vjen,” deklaroi ai.
Gjatë mbrëmjes u prezantuan edhe kandidatët e LDK-së për deputetë nga rajoni i Suharekës, duke përfshirë doktorin Ardian Shala, Urim Sukën, Shemsije Bytyçin dhe Shaqir Kryeziun. Abdixhiku vlerësoi përkushtimin e tyre për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për Kosovën.
Ai shprehu mirënjohje për energjinë dhe mbështetjen e qytetarëve të Suharekës, duke theksuar se kjo është një dëshmi e qartë se LDK-ja po fuqizohet si forca kryesore politike në vend. “Kosova po zgjohet! Suhareka është në ballë të këtij rizgjimi,” shtoi Abdixhiku.
Në fund, ai bëri thirrje për mobilizim të plotë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u kërkuar qytetarëve që të jenë pjesë aktive e ndryshimit që po ndërtohet me përkushtim dhe dashuri për vendin.
“Bëhu ndryshimi! Suhareka, faleminderit për besimin dhe përkushtimin tuaj të palëkundur. Më 9 shkurt, ndryshimi është në duart tuaja,” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/