Abdixhiku në Pozharan: Mbështetja juaj na jep shtytjen për rrugën përpara
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim entuziast me qytetarët e Pozharanit, një fshat i komunës së Vitisë, ku salla ishte e tejmbushur me pjesëmarrës. Ai u kërkoi falje të gjithë atyre që mbetën jashtë për shkak të mungesës së hapësirës dhe falënderoi nga zemra për durimin dhe mbështetjen e madhe që i ofruan partisë.
“Duartrokitjet, brohoritjet dhe mbështetja e madhe, si brenda ashtu edhe jashtë sallës, tregojnë qartë fuqinë dhe përkushtimin tonë,” tha Abdixhiku.
Ai i ftoi të gjithë qytetarët në tubimin hapës të fushatës që do të mbahet më 11 janar, duke theksuar rëndësinë e bashkimit dhe përkushtimit deri në përfundimin e zgjedhjeve më 9 shkurt.
“Le të qëndrojmë bashkë, ashtu siç ishim sonte, deri në festën tonë të madhe,” shtoi ai, duke dhënë një mesazh të fortë për mobilizim dhe unitet brenda LDK-së.
Kjo ngjarje është një tjetër dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme që LDK po merr në terren, duke e pozicionuar atë si një forcë të rëndësishme në garën elektorale të ardhshme. /Kosova.info/
