Abdixhiku: LDK nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues të vendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Në njoftimin e tij, Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë bisedës është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, situatën aktuale dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova – nga bllokada institucionale deri tek pasojat e qeverisjes populiste.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka qëndrime të qarta përballë kësaj gjendjeje duke kundërshtuar çdo praktikë që dëmton funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional. “Ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije”, u shpreh Abdixhiku.
Në fund, kreu i LDK-së ka falënderuar Francën për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në proceset shtetformuese, si dhe për rolin e rëndësishëm në mbështetjen e integrimit evropian të vendit. /Kosova.info/
