Abdixhiku: Kur pushtetarët shkëputen nga populli, gjërat nuk u japin më sens – LDK mbetet e qëndrueshme dhe me besim në të ardhmen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për bllokim të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe sjellje përçarëse në politikë. Në një reagim publik, Abdixhiku tha se Kurti nuk e kupton as parimin, as fjalën e dhënë duke e cilësuar si një udhëheqës që ka humbur kontaktin me qytetarët dhe realitetin politik.

“Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet dhe s’i respekton gjykatat e Republikës; një njeri që i mbron të korruptuarit partiakë veç pse janë të tij – ai nuk mund ta kuptojë çka do të thotë parimi i drejtë në jetë,” theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK është dhe do të mbetet një parti që e respekton fjalën e dhënë, parimin dhe dinjitetin politik. “S’e kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës; e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë,” u shpreh Abdixhiku duke theksuar se LDK nuk ndërton rrugën e saj në “prehërin e askujt”.

Kryetari i LDK-së deklaroi se partia e tij po ecën drejt, në rrugën që e ka ndërtuar vetë për Republikën e Kosovës duke ruajtur identitetin dhe parimet që e kanë karakterizuar historikisht.

“LDK-në mund ta sulmoni, mund edhe ta ofendoni, por vetëm kaq keni mundësi. LDK po ecë drejt, për vete dhe për Republikën që e krijoi vet. LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP