​Abdixhiku kundërshton Ramën: LDK s’ka marrëveshje me PDK-në

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku mohoi se ka një koalicion me PDK-në në komunën e Prishtinës, ani pse kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, sot zyrtarizoi një gjë të tillë, raporton KosovaPress.

Ai tha se Përparim Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së, dhe siç tha ai për “hapa të tjerë më pritni pas zgjedhjeve”.

LDK nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në

“Kryetarët e komunave kanë të drejtën e tyre të bëjnë marrëveshje për shumicën që ata e konsiderojnë. Por nuk mund të them se ne kemi marrëveshje me PDK-në. Po të kemi, më tregoni. LDK nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në. Kam komunikuar edhe me Bedri Hamzën për këtë çështje, i thashë: a kemi marrëveshje? Tha: nuk kemi. Në rregull, unë dua ta qartësojmë për publikun pasi ne s’kemi. Ato marrëveshje janë të kryetarit të komunës, por PDK-LDK s’ka marrëveshje të tillë. Përparim Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së… unë po them se LDK s’ka marrëveshje me PDK-në. Për hapa të tjerë më pritni pas zgjedhjeve”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Ndryshe, sot e dje janë shkarkuar dy drejtor të LDK-së nga kryetari Përparim Rama.

Dje ishte shkarkuar Sokol Havolli drejtor i Investimeve Kapitale dhe sot Samir Shahini nga drejtoria e Arsimit.

Derisa vet Përparim Rama sot ka emëruar nënkryetare të kryeqytetit Besianë Musmuartin nga PDK-ja.

“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.


Go to TOP