Abdixhiku: I dhamë lamtumirën një shërbyesi të ndershëm të Kosovës, Ali Sadriut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe sot për Ali Sadriun duke e cilësuar atë si një njeri të mirë, të urtë dhe një shërbyes të ndershëm të shtetit të Kosovës.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku theksoi se me ndarjen nga jeta të Ali Sadriut nuk u nderua vetëm një figurë publike, por mbi të gjitha një njeri që e jetoi politikën si mision dhe përgjegjësi, e jo si skenë apo shfaqje. Sipas tij, Sadriu ishte pjesë e një brezi që besonte se shteti ndërtohet me durim, ligj dhe karakter.
Duke kujtuar kontributin e tij institucional, Abdixhiku vuri në pah rolin historik të Ali Sadriut si Ministri i parë i Financave në Kosovën e pasluftës. “Në kohën e tij u hartua për herë të parë Buxheti i Kosovës dhe u vunë themelet e institucioneve kyçe të shtetit, përfshirë Bankën Qendrore, Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës”, u shpreh ai.
Abdixhiku shtoi se Ali Sadriu do të mungojë për fjalën e tij të qetë, këshillat e sinqerta dhe praninë e matur, por se vepra dhe emri i tij do të mbesin të gjalla në LDK dhe në historinë e Kosovës.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin e tij personal, Lumir Abdixhiku shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sadriu, bashkëshorten Minire dhe fëmijët Qëndresa, Fitore, Saranda, Fatbardha dhe Flamur.
“Lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
