Abdixhiku: Batllava dhe Podujeva kthehen djathtas me LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim të ngrohtë dhe masiv në fshatin Batllavë, në kuadër të mobilizimit për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në prani të qindra mbështetësve, Abdixhiku shprehu bindjen se Podujeva dhe rajoni i Gollakut janë rikthyer në frymën e djathtë, duke e cilësuar LDK-në si shpresën dhe shtëpinë e të gjithë qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

“Sa herë që jemi në Batllavë, në Gollak e Llap, shohim tubime që të lënë pa fjalë! Kjo pritje e ngrohtë dhe konfirmimi i qartë nga qytetarët janë dëshmi se Podujeva tashmë është kthyer djathtë,” deklaroi Abdixhiku.

Ai falënderoi kandidatët lokalë të LDK-së për angazhimin e tyre dhe ftoi qytetarët që të mbështesin këtë parti në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen më 9 shkurt. Abdixhiku theksoi se nën numrin 124, LDK është gati të sjellë ndryshimin që qytetarët e presin.

“Punë të mbarë për Ekremin dhe kandidatët tanë – Valonin, Arjetën, Qëndrimin, Fatlumen, Fehminë dhe Mustafën! Suksesi juaj është suksesi i LDK-së dhe Kosovës,” përfundoi ai.

Ky tubim konfirmon edhe një herë përkrahjen masive që LDK gëzon në këtë rajon duke forcuar pozitat e saj përpara zgjedhjeve kombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP