Abdixhiku: Aty ku respektohet mësuesi, ndërtohet e ardhmja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me mësimdhënës në lagjen Dardania, ku diskutoi për sfidat dhe të ardhmen e arsimit në Kosovë.
Abdixhiku tha se kafen e mesditës e ndau me njerëzit që, sipas tij, mbajnë mbi supe një nga përgjegjësitë më të mëdha të shoqërisë – edukimin e brezave të rinj.
“Folëm për shkollën, për sfidat e arsimit, për lodhjen e përditshme, por edhe për dashurinë që ata kanë për profesionin e tyre. Sepse mësuesi nuk ndërton vetëm dije. Ndërton karakter, kulturë, qytetari dhe të ardhmen e një vendi”, ka shkruar ai.
Në këtë takim u diskutua edhe për reformën e Jehonës, të cilën Abdixhiku e cilësoi si model nacional të arsimit.
Ai theksoi se Kosova duhet ta kthejë arsimin në prioritet të vërtetë kombëtar duke kërkuar më shumë mbështetje për mësimdhënësit, kushte më të mira në shkolla dhe dinjitet për profesionin e mësuesit.
“Sepse aty ku respektohet mësuesi, ndërtohet e ardhmja”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
