AAK mbledh të rinjtë e Suharekës, premtojnë 6% të GDP-së për arsim e edukim

Koalicioni i përbërë nga AAK, Nisma Socialdemokrate, Forumi intelektual E30, Lista konservatore Ideal, ka mbajtur tubim elektoral me rininë në Shirokë të Suharekës.

“Rinia e Suharekës është shembull i asaj që Kosova mund të arrijë”, u shpreh kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, duke vlerësuar potencialin që ofron ky qytet në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai prezantoi paketën gjithëpërfshirëse të mbështetjes për të rinjtë, e cila parasheh grante pa kthim për bizneset start-up dhe bursa për të gjithë studentët, pavarësisht nëse studiojnë në institucione publike apo private.

Haradinaj theksoi se qeveria e ardhshme do të ndajë 6% të GDP-së për arsim dhe edukim, një investim strategjik që do të fillojë menjëherë pas 9 shkurtit.

“Çelësi i zhvillimit të vendit është i qartë – anëtarësimi direkt në NATO dhe forcimi i aleancës së përhershme me Amerikën”, shtoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e orientimit euro-atlantik të Kosovës.

Kryetari i AAK-së në Suharekë, njëherësh kryetar i kësaj komune e kandidat për deputet, Bali Muharremaj, tha se kur i sheh këta të rinj e të reja, është i bindur se ndryshimi po vjen më 9 shkurt.

“Rinia është e tashmja që bëjnë ndryshimet. Sot jemi bashkuar për ndryshimet që do të vijnë më 9 shkurt. Këta djem dhe vajza janë suksesi jonë”, ka thënë Muharremaj.

Kandidatja tjetër për deputete, Albana Bytyqi, tha se AAK është forca që ka dëshmuar angazhimin për zhvillimin e vendit.


Go to TOP