AAK-ja paralajmëron seancë të jashtëzakonshme për RTK-në
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, diskutimin e tij në emisionin “RTK Prime” e nisi me atë që ai e quajti “goditje të madhe” që Kuvendi i Kosovës mori nga transmetuesi publik, pasi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit nuk u transmetua në kanalin e parë të RTK-së.
“Si Kuvend i Kosovës sot kemi marrë një goditje të madhe nga shtëpia e popullit, nga televizioni publik meqë në një seancë të jashtëzakonshme ku diskutohej një skandal shumë i madh, me 40 nënshkrime deputetësh, fjalimet e opozitës u ndalen nga ky televizion”, tha ai.
Ai tha se ishte pikërisht Lëvizja Vetëvendosje që në të kaluarën që protestonte para dyerve të RTK-së duke e quajtur këtë institucion si të kapur, e sot, sipas tij, ndikimi që ka qeveria në këtë institucion është i dukshëm.
“Ne si opozitë do të iniciojmë një seancë të jashtëzakonshme edhe rreth kësaj teme dhe rreth çështjes së ndikimit partiak e politik në bord”, tha tutje Tahiri.
Tahiri tha se e kupton rëndësinë e konferencës që po transmetohej drejtpërdrejt gjatë kohës sa ishte seanca, mirëpo, sipas tij, derisa seanca e jashtëzakonshme po bojkotohet nga qeveria të bojkotohet edhe nga transmetuesi publik është element që duhet të diskutohet.
“Unë jam anëtar i Komisionit për Media me hierarkinë institucionale, mua jo drejtori, por bordi më raporton në komision dhe mua nuk më lejohet të hyj brenda. Kuvendi i Kosovës e ka themeluar këtë institucion dhe unë jam anëtar i Kuvendit të Kosovës”, vazhdoi ai.
Drejtoria e Televizionit Publik të Kosovës përmes një komunikate ka sqaruar se transmetimi i seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës nuk është ndërprerë për asnjë minutë.
Sipas Drejtorisë së Transmetuesit Publik, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është transmetuar drejtpërdrejtë në kanalin RTK-3 sikurse edhe në rrjetin social Facebook të RTK-së.
“Në RTK1 gjatë asaj kohe ka qenë në transmetim një ngjarje e rëndësisë së veçantë që trajton një prej kategorive më të cenuara të shoqërisë, viktimat e dhunës seksuale në konflikt. Në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt e cila po transmetohej në RTK1 përveç krerëve të shtetit, ka folur edhe Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në sqarimin e RTK-TV-së.
Drejtoria e RTK-TV tutje ka sqaruar se konferenca ndërkombëtare e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me rastin e 25-vjetorit të themelimit të kësaj qendre, ka qenë e një rëndësie të veçantë, pasi edhe sot pas 25 vitesh kërkohet zbardhja, dokumentimi dhe ndëshkimi i krimeve të luftës dhe dhunës seksuale gjatë konfliktit.
“Për më tepër transmetimi i drejtpërdrejtë i konferencës ndërkombëtare për dhunën seksuale në konflikt ka qenë i planifikuar për mbulim të drejtpërdrejtë qysh më parë, pas një takimi në mes udhëheqësve të RTK-TV-së dhe drejtuesve së kësaj organizate”, theksohet në sqarimin e Drejtorisë së RTK-TV.