Abdixhiku në Dragash: Rekord pjesëmarrjeje, LDK është zëri i ndryshimit

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mbajti një tubim madhështor në Dragash duke theksuar mbështetjen e jashtëzakonshme që partia po merr në këtë fushatë elektorale. Tubimi, i cili shënoi rekord pjesëmarrje, u përshkrua si një festë popullore dhe dëshmi e qartë e mbështetjes së Dragashit për LDK-në.

“Dragashi u deklarua djathtë! Na u bashkua në rreshtin e gjatë të qyteteve që po mbështesin vizionin tonë për ndryshim. Në çdo shtëpi, çdo fshat dhe çdo qytet po ndjejmë një mbështetje të jashtëzakonshme, që na jep forcë dhe vendosmëri për të ndërtuar një të ardhme më të mirë,” tha Abdixhiku.

Ai theksoi se ky moment historik për LDK-në tregon bashkimin dhe energjinë që kanë munguar prej kohësh, ndërsa e cilësoi ndryshimin si të pashmangshëm.

“Dragashi foli qartë, siç po flet e tërë Kosova. Koha jonë ka ardhur! Krejt Kosova me LDK!” shtoi ai duke ftuar qytetarët në “festën e madhe” të 9 shkurtit.

Abdixhiku përgëzoi ekipin dhe kandidatët e LDK-së për punën e tyre të palodhur dhe shprehu optimizëm për suksesin e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/


Go to TOP