A po shkojnë Shtetet e Bashkuara drejt krijimit të një NATO aziatike?

Harrojeni Francën, AUKUS dhe nëndetëset bërthamore, një nga momentet më të rëndësishme për të ardhmen e ndikimit amerikan në Azi duhet të ndodhë të premten (sot) në Uashington.

Presidenti amerikan, Joe Biden po mban takimin e parë të Dialogut Katërpalësh të Sigurisë, i njohur më mirë si “Quad”, një forum strategjik joformal i Shteteve të Bashkuara, Australisë, Japonisë dhe Indisë, të gjitha demokracitë e interesuara për të kundërshtuar forcimin e Kinës në Azi.

Biden do t’i bashkohet në Uashington kryeministri japonez, Yoshihide Suga, lideri indian, Narendra Modi dhe kryeministri australian, Scott Morrison, për të diskutuar “promovimin e një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”, raporton cnn.

Takimi zhvillohet në një kohë të ndryshimeve të mëdha në politikën amerikane në Azi. Ndërsa administrata e Biden kërkon të forcojë partneritetet e saj diplomatike në rajon, Japonia po merr një pikëpamje gjithnjë e më agresive të forcimit të ushtrisë së Kinës. Në të njëjtën kohë, pakti i mbrojtjes i Australisë AUKUS me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar ka forcuar angazhimin e Uashingtonit për Azinë dhe ka bërë nervoz disa partnerë të rëndësishëm të Azisë Juglindore.

Quad u propozua fillimisht në vitin 2007, por u pezullua për një kohë të gjatë derisa u ringjall nën udhëheqjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump për shkak të rritjes së Kinës si një superfuqi ekonomike dhe ushtarake. Mjedisi diplomatik në Azi ka ndryshuar ndjeshëm që nga ringjallja në 2017, dhe Quad ka marrë një rëndësi më të madhe.

Në Prill 2020, marrëdhëniet midis Australisë dhe Kinës përjetuan një ngërç të madh pasi Kryeministri i Australisë bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e coronavirusit. Pekini është kundërpërgjigjur duke vendosur kufizime për mallrat australiane dhe marrëdhëniet nuk duket se do të përmirësohen së shpejti.

Ndërkohë, lidhjet midis Uashingtonit dhe Pekinit, të cilat janë përkeqësuar nën Trump, janë përkeqësuar më tej nën Biden pasi SHBA forcon partneritetet e saj diplomatike në Azi me synimin për të frenuar Kinën.

Komunikimi i ri amerikan u mirëprit me entuziazëm në Australi, dhe në fillim të këtij muaji të dy qeveritë iu bashkuan Mbretërisë së Bashkuar për të shpallur AUKUS, një marrëveshje sipas së cilës të tre vendet do të shkëmbejnë informacionin dhe teknologjinë ushtarake për të formuar një partneritet më të ngushtë mbrojtës në Azi.

Japonia gjithashtu përshëndeti përfshirjen më të madhe të ShBA në rajon. Pasi u përpoq të ndiqte një politikë më të butë kineze në vitet e para, ndërsa Presidenti kinez Xi Jinping ishte në krye, Japonia është bërë gjithnjë e më e kujdesshme ndaj Pekinit vitin e kaluar.

Go to TOP