A po i shmangen Kosova dhe Serbia propozimit të BE-së?

“Këto deklarata po vazhdojnë të sillen në opinion sa për t’i përforcuar, jo pozitat negociuese të dy kryenegociatorëve, por pozitat e brendshme në vendet respektive”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, palët kanë punuar tashmë në propozimin që u ka ofruar BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Propozimi “është tashmë thuajse krejtësisht i dakorduar”, thotë Paçarizi.

BE-ja i ka ofruar Kosovës dhe Serbisë një propozim për normalizimin e marrëdhënieve në fund të verës, i cili është përditësuar pastaj në muajin dhjetor.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por është konsideruar nga zyrtarët evropianë si rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurti e ka pranuar këtë propozim, ndërsa Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të punojë në zbatimin e tij.

Gogiq: Propozimi evropian, i papranueshëm për palët

Por, sipas politologut Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut, deklaratat kushtëzuese të Kurtit dhe Vuçiqit janë në funksion të përforcimit të pozicioneve të tyre negociuese, por edhe përgatitje e terrenit që ta fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e bisedimeve.

Gogiq thotë se Kurti dhe Vuçiq, do ta shfrytëzojnë çështjen e Asociacionit për ta shmangur propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë mendoj se ata do të jenë të interesuar që të shkojnë në Bruksel, për ta bërë pikërisht këtë. Pra, të thonë se bisedimet nuk sollën rezultat për fajin e tjetrit. Unë konsideroj se ky propozim evropian nuk është i pranueshëm as për Beogradin dhe as për Prishtinën. Për Beogradin nuk është i pranueshëm për shkak se – sipas mendimit të Beogradit – ai i jep shumë [palës së Kosovës], ndërsa për Prishtinën është i papranueshëm për shkak se për të ofron pak. Kështu që të dy [Kurti dhe Vuçiq] do të kërkojnë mënyra që bisedimet të pengohen”, thotë Gogiq

“Përpëlitje deri sa të vijë momenti”

Paçarizi thotë se mospajtimet e deklaruara nga palët, lidhur me çështjen e Asociacionit, nuk do të mund të shfrytëzohen si pretekst për të minuar një marrëveshje eventuale, që mund të dalë nga propozimi i Bashkimit Evropian.

Ai thotë se Kosova dhe Serbia nuk janë në pozitë që ta kundërshtojnë procesin në finalen e tij, sepse pala që do ta kundërshtojë, do të ndëshkohet nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.

“Thjesht, do të përpëliten derisa të vijë momenti. Momenti do të vijë shpejt, sepse duhet pasur parasysh që marrëveshja apo plani evropian nuk mund të zbatohet pa e stabilizuar situatën në veri [të Kosovës]”, thotë Paçarizi.

“Kosova rrezikon të bjerë në kurthin e Serbisë”

Por, Gogiq thotë se ekzistojnë sinjale mjaft reale se propozimi i Bashkimit Evropian dhe diskutimi i palëve për të, mund të dështojnë.

Sipas tij, Beogradi, pikërisht përmes çështjes së Asociacionit, do ta bëjë Prishtinën të duket fajtore në sytë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai thotë se Beogradi tashmë ka arritur që për kushtin e tij, që Asociacioni të formohet para bisedimeve për propozimin evropian, ta ketë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, të cilat po i bëjnë trysni Kosovës në këtë drejtim.

“Unë konsideroj se të gjithëve do t’iu kalojë pa diktuar obstruksioni i Beogradit, i cili, asgjë më pak se Prishtina, nuk e dëshiron formimin e Asociacionit. Pra, Beogradi fare nuk e dëshiron formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe do të bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Edhe nëse kryeministri Kurti do të bënte lëshime dhe do ta ndryshonte pak qëndrimin e tij, Beogradi nuk do të kënaqej me këtë. Serbët nga Kosova dhe Beogradi do të thoshin se kjo nuk është ajo që duan… Në këtë pikë do të ndërpriteshin bisedimet”, thotë Gogiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e disa muaj është përballur me presionin e rritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Ky asociacion është pjesë e një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Kurti, vazhdimisht, ka theksuar se Asociacioni njëetnik nuk mund të formohet dhe një prej kushteve të tij është që ai “duhet ta ndërrojë emrin” dhe “të mos bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv”.

Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Go to TOP