Dodik: Zgjidhja e situatës në BeH është burgosja e Schmidt-it
Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik, tha sot se “zgjidhja është që Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës të na dorëzojë Schmidt-in, që ne të merremi me të, ta përpunojmë dhe ta mbyllim në burgjet tona”.
“Zgjidhja qëndron në atë se Schmidt dhe vendimet janë të pazbatueshme. Më pas do të pezullojmë aktet tona që ishin një reagim nga zbatimi dhe do të fillojmë një marrëveshje për një BeH të mundshme”, tha Dodik në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Sarajevën Lindore, raporton BHRT.
Ai tha se në BeH “Marrëveshja e Dejtonit dhe Kushtetuta e BeH nuk respektohen”, dhe ai akuzoi politikanët boshnjakë sepse, sipas tij, “i lejuan të huajt të vijnë dhe të përhapin narrativën e rreme se Republika Serbe dhe zyrtarët e saj po shkelin Marrëveshjen e Dejtonit”.
Ai bëri një sërë fyerjesh kundër përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, duke pretenduar se ai kishte ardhur “duke përdorur metoda fashiste për të imponuar vullnetin e tij”.
Ai tha se Përfaqësuesi i Lartë nuk ka legjitimitet, nuk ka të drejta dhe nuk ka autoritet.
“Kjo dëmton aftësinë e BiH për të mbijetuar,” tha Dodik.
Duke iu referuar “përpjekjes së mbrëmshme për ta arrestuar” në Sarajevën Lindore, Dodik tha se policët e MPB-së së Republikës Serbe “po bënin punën e tyre”.
“Tre persona u shfaqën të cilët u prezantuan si inspektorë të SIPA-s, pa treguar asnjë dokument. Kur thanë se kishin një urdhër, ata (oficerët e policisë RS) thanë se ky nuk ishte vendi ku duhej të ekzistonin,” pohoi Dodik.
Pezullimi i financimit nga buxheti
I pyetur se si e komenton vendimin e Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt për të pezulluar fondet buxhetore për partinë e tij ‘SNSD’ dhe ‘Ujedinjenu Srpsku’, Dodik bëri edhe një herë një seri ofendimesh kundër Schmidt-it dhe tha: “Si ka mundësi që partitë e tjera politike kanë të ardhura, e ne nuk kemi të ardhura. Që duhet të na mohohen. Ne jemi parti parlamentare. Unë marr rrogë me postë, nuk marr rrogë në parti”, tha Dodik.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, sot ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha mjeteve buxhetore për financimin e partive politike ‘SNSD’ dhe ‘Ujedinjenu Srpsku’ në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Kriza në Bosnje dhe Hercegovinë
Kriza politike në Bosnje dhe Hercegovinë pasoi pasi Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në fund të shkurtit dënoi presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të kryer detyrën e presidentit të njësisë, për shkak të “mosbindjes ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë”.
Zyra e Prokurorit të BeH-së lëshoi më pas një urdhër-arresti për Dodikun, si dhe kryeministrin Radovan Vishkoviç dhe Nenad Stevandiç, kreun e Asamblesë së këtij entiteti. Ata dyshohen për veprën penale të “sulmimit të rendit kushtetues” pasi Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe miratoi dhe Dodiku nënshkroi një dekret mbi botimin e ligjit që ndalon funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe sigurisë në entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës.
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës paraprakisht ka pranuar propozimin e Prokurorisë së Shtetit për lëshimin e fletarrest ndërkombëtar për Dodikun dhe Stevandiqin, të cilët akuzohen për veprën penale “sulmimi i rendit kushtetues”. Interpoli nuk lëshoi një urdhër ndërkombëtar dhe Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës kërkoi rishikimin e këtij vendimi.
Ndërkohë, Dodik ka kaluar disa herë kufirin e Bosnjë-Hercegovinës për të udhëtuar jashtë vendit.
