A i hoqi “embargon” Kurtit shefi i CIA-s?!
Shkruan: Florim ZEQA
Të gjithë, filluar nga lideri i partisë, ministrat, zëvendësministrat deputetët, militantët dhe aktivistët e VV-së i janë gëzuar tej mase takimit të shefit të CIA-s, William Burns me kryeministrin Albin Kurti.
Ekzaltim i panevojshëm i LVV-së
Një ditë më parë, kur shefi i CIA-s, William Burns takoi presidenten Osmani, në radhët e LVV-së ishte një frikë e jashtëzakonshme se mos po injorohet lideri i tyre, aktualisht kryeministër i shtetit.
Frika ishte e arsyeshme pas bojkotit kohë të gjatë të takimit të zyrtarëve të lartë amerikan me kryeministrin e vendit tonë.
Mirëpo, pas publikimit të lajmit për takimin Kurti–Burns, fillojë një festë e jashtëzakonshme në LVV. Militantët dhe aktivistët ekzaltuan nga gëzimi pas publikimit të fotove të takimit nga lideri i tyre, duke e shpërndarë të njëjtën në rrjetet sociale.
Megjithatë, dora në xhep e shefit të CIA-s i motivoj analistët që ta komentojnë këtë gjest, se a ishte relaksim apo nënvlerësim i Kurtit!?
Si zakonisht, qëndrimet e analistëve u kritikuan ashpër nga strukturat drejtuese të LVV-së!
Takimin e kryeministrit Albin Kurti me shefin e CIA-s, William Burns, e komentuan në superlativ eksponentët e LVV-së për raportet e “mira” të kryeministrit me ndërkombëtarët, duke thënë “kjo është e vetmja e vërtetë e raporteve të Kurtit me ndërkombëtarët”!
“Nëse është hangër pitja, tepsija ka mbetë”, e thotë një fjalë e urtë popullore.
Me këtë dëshirojë të them se ngjarjet që kanë ndodhur, si për të mirë dhe për të keq janë të shkruara dhe të filmuara në sipërfaqen e “tepsisë” apo të librit të madh elektronik, internet.
Cili ishte mesazhi i Burns?!
Pa e ditur qëllimin e vizitës së shefit të CIA-s, William Burns në Ballkan, në veçanti vizitën dyditore në Kosovë, nuk bën të personalizohet dhe as të përdoret për konsum të brendshëm partiak, për shkak se ajo vizitë ishte e karakterit të sigurisë së lartë, përkatësisht e mbrojtjes së interesave të SHBA-ve në Ballkan, pavarësisht se cili është emri i kryeministrit dhe presidentit aktual në Kosovë.
Shefi i CIA-s nuk erdhi për t’i hequr “embargon” Kurtit dhe as ta lartësoj Osmanin, por erdhi për të përcjellë mesazhet amerikane në shtetet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën e vogël, të varur në plotni nga interesat amerikane.
Sado që mundohen analistët dhe politikanët ta zbulojnë të vërtetën e ardhjes së shefit të CIA-së në Ballkan, e kanë të kotë, për shkak se ai nuk erdhi për të shpalosur agjendën amerikane, por, për të paralajmëruar për rreziqet që e presin rajonin e trazuar të Ballkanit!
Edhe pse u bën publike takimet e ndara të Burns me dy krerët e shtetit tonë, asnjëri prej tyre nuk e bëri publik mesazhin që ua la shefi i CIA-s! Por, sikurse njëra (presidentja) edhe tjetri (kryeministri) folën vetëm për raportet e mira dhe strategjike me ShBA-të, refrene të dëgjuara tani e tre dekada më parë!
Se cili do të jetë fati dhe pozicioni i Kosovës pas kësaj vizite, mbetet të shihet në ditët dhe javët, e mbase edhe muajt në vazhdim! Nuk përjashtohen as zgjedhjet e parakohshme për rikonfigurim politik.