A do të përdoret Kosova si trampolinë e transportit të avionëve për në Ukrainë

Ish pjesëtarë të FSK-së dhe analistë theksojnë se shfrytëzimi i hapësirës ajrore dhe kapaciteteve të Kosovës duhet bërë vetëm në koordinim me aleancën veri atlantike për çfarëdo operacioni të mundshëm në ndonjë vend tjetër. Një zyrtar i NATO-s ka thënë të enjten se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur. Qeveria e Kosovës kishte kërkuar mbylljen e hapësirës ajrore të Kosovës duke u rreshtuar nga vendet perëndimore të cilat i kishin mbyllur ato ndaj Rusisë si pjesë e sanksioneve.

Ditëve të fundit në medie gjermane në disa publikime theksohet mundësia që disa avion MIG 29 do të mund të transferoheshin nga Gjermania për në Kosovë prej nga do të destinoheshin për në Ukrainë.

“Një prej skenarëve të mundshëm është që avionët të rilyhen në bazën e Ramstein në Gjermani dhe pastaj të fluturojnë drejt një vendi jo-anëtar të NATO-së apo që nuk është anëtar i BE-së”, shkruante e përditshmja gjermane “Tagesachau”.

Ish komandanti i forcave tokësore të FSK gjenerali Fadil Hadërgjonaj thekson se operacioni është pjesë e mbështetjes së shteteve të perëndimit me theks të atyre të NATO-s dhe BE që po i japin Ukrainës në të gjitha aspektet, përfshi edhe pajisje ushtarake për tu përballur me agresionin Rus.

Ai tregoi edhe arsyet e një kërkese të tillë eventuale.

“Nisja e avionëve në rastin konkret nga cili do shtet anëtare e këtyre mekanizmave, do të involvonte në mënyrë direkte, në luftën që Rusia filloj pa asnjë shkas duke shkelur të gjitha konventat dhe normat ndërkombëtare”, tha Hadërgjonaj për Kosova.info.

Mu për këtë sipas tij, kërkohet që të shfrytëzohen kapacitetet adekuate nga ndonjë shtet jo anëtar i NATO-s dhe BE-së, ku Kosova nuk është pjesë e asnjërës.

Ai rikujton se institucionet dhe qytetarët e Kosovës e kanë dënuar ashpër sulmin rus mbi Ukrainën, duke mbështetur dhe bashkangjitur veprimeve që kanë ndërmarrë shtetet e perëndimit, NATO dhe BE, në krye me ShBA.

“Rreshtimi i Kosovës është plotësisht i drejt dhe askush më mirë dhe më të freskëta nuk i ka kujtimet e agresionit dhe okupimit, kështu që ne duhet të jemi koshient se të jesh partner apo aleat i atyre që ishin me ne në luftën tonë, nënkupton të bartësh edhe përgjegjësi dhe të ndërmarrësh veprime konkrete, në mbështetje të kërkesave që mund të parashtrohen para nesh. Shfrytëzimi i hapësirës ajrore dhe kapaciteteve të Kosovës, aeroporti ndërkombëtarë “Adem Jashari” për të mbështetur operacionin në fjalë, nënkupton materializimin e zotimeve të institucioneve të Kosovës. Kjo duhet të jetë në harmoni dhe koordinim të plotë me partnerët tonë strategjik dhe natyrisht të përfitoj Kosova nga kjo”, tha ai.

Kosova deri më tani sipas tij ka dëshmuar se është partner i besueshëm edhe me pranimin e qytetarëve afgan, si dhe me gatishmërinë e pranimit të qytetarëve Ukrainas, të gjitha këto do duhej avancuar pozicionin e Kosovës në proceset integruese në mekanizma ndërkombëtare të sigurisë dhe atyre politike e ekonomike, etj.

Andaj sipas tij është një momentum që me maturi dhe mençuri duhet shfrytëzuar në interes të faktorizimit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, në të gjitha aspektet.

Çfarëdo pjesëmarrje e Kosovës në mbështetjen e forcave aleate perëndimore, sipas tij nuk bartë konsekuenca kur është fjala për Rusinë.

“Vetë rreshtimi ynë pro perëndimorë, pra pro NATO-s dhe BE-s, me synim të qartë për të qenë pjesë e këtyre organizatave dhe jo vetëm, bie ndesh me politikat dhe qëndrimet Ruse. Kështu që ne si Kosovë, asnjëherë nuk kemi llogaritur në çfarëdo miqësie me Rusinë, sepse Rusia konsideron dikë tjetër në rajon për miqësi, pra Rusia mbështetë në aspektin politik, diplomatik, ekonomik por edhe armatosë Serbinë e cila është kundër Republikës së Kosovës. Në këtë kontest edhe deklarimi i presidentit Rus z. Putin, se do të jenë në vijën e parë të armiqësisë, ata që dërgojnë avionët, nuk është ndonjë lajm sidomos në raport me Kosovën, vetëm se konfirmon qëndrimin e kamotshëm ndaj vendit tonë. Kosova është vend i vogël dhe në këto zhvillime koordinohet me partnerët strategjik dhe jam më se i bindur, se cili do veprim që ndërmerret, do të jetë mirë i analizuar, përfshi edhe benefitet edhe pasojat që mund të rrjedhin pastaj. Sido që të rrjedhin ngjarjet, kujtoj dhe besoj se kontributi i Kosovës do të prodhojë edhe benefitet në interes të vendit dhe qytetarëve, në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit”, tha Hadërgjonaj.

Edhe njohësi i zhvillimeve në hapësirën post sovjetike Ilir Krasniqi konsideron se çfarëdo lëvizje që ndërmerr vendi duhet në koordinim të plotë me partnerët strategjik përmes një ekspertize të detajuar.

“Duke qenë si një vend që aspiron anëtarësimin në NATO, çdo që ndërmerr Kosova duhet të bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjik brenda NATO-së. Edhe ashtu KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë”, thekson ai.

Ndërsa për sa i takon konsekuencave eventuale nga kërcënimet ruse, Krasniqi thotë se Moska ka një qëndrim jo të mirë ndaj Kosovës dhe kjo është pa edhe ditë më parë kur politika zyrtare lëshoi një shpifje për pjesëmarrjen e çdo herë e më shumë të mercenarëve nga vendet e treta në Ukrainë duke përmendur Shqipërinë, edhe pse në atë vend kanë shkuar mercenarë nga dhjetëra shtete.

“Veç kësaj, Kosova jo vetëm që është një temë e rëndësishme e marrëdhënieve të Rusisë me Serbinë, në të cilën Moska vepron si mbrojtës i madh i kësaj të fundit, por edhe një element i rëndësishëm i konfliktit të Kremlinit me Perëndimin. Dështimet në procesin e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë gjithmonë një temë e mirëseardhur për diplomacinë ruse, e cila është e përkushtuar për të dobësuar besimin e opinionit në përpjekjet e BE-së dhe NATO-s në Ballkan dhe pengojë integrimin euroatlantik në Ballkan”, tha Krasniqi për Kosova.info.

Presidenti Ukrainas Volodymir Zelenski ka kërkuar disa herë ndihmën nga vendet perëndimore për të ndalë sulmet ajrore ruse në Ukrainë. Deri më tani asnjë nga vendet perëndimore nuk ka pranuar përveç Polonisë që të dërgojë nga vendi i tyre avionë ushtarak.

“Polonia është e gatshme të vendos të gjitha avionët MIG 29 në bazën ajrore Ramschtine në Gjermani dhe tu lë në dispozicion ShBA duke i bërë thirrje edhe anëtarëve tjerë të NATO-së që posedojnë avionë të njëjtit tip ta bëjnë një gjë të tillë”, kishte bërë të ditur ditë më parë ministria e jashtme polake.

Moska ka tërhequr vërejtjen vendeve fqinjë të Ukrainës që të mos lejojnë që bazat e tyre ajrore ti shfrytëzojnë forcat ukrainase sepse do të konsiderojnë si përzierje të këtyre vendeve në konfliktin e armatosur.

“E dimë në bazë të dëshmive, që avionët ushtarak ukrainas kanë fluturuar mbi Ukrainë dhe vendet e tjera fqinjë”, tha zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes Igor Konashenkov në një deklaratë të cilët të dielën e kanë ndarë agjencitë mediatike.

Aleanca veri atlantikë theksoi se nuk do të jenë pjesë e konfliktit në Ukrainë, e cila sulmohet nga Rusia, nuk do të dërgojnë trupa dhe se nuk do të fluturojnë me avionë të NATO-s në hapësirën ajrore të Ukrainës.

Nga ana tjetër zëvendës sekretarja amerikane Viktorija Nuland tha se Polonia nuk është marrë vesh me ShBA për vendimin që të dërgojë gjuajtësit MIG 29.  

Aktualisht Komandanti i KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. /Kosova.info/

Go to TOP