Largimi i barrikadave te “Përroi i Zhazhës” në veri, rruga Mitrovicë-Jarinje mbyllet për qarkullim
Të enjten e pesë janarit, njësitet e KFOR-it do të largojnë kamionët e vendosur në lokacionin e quajtur “Përroi i Zhazhës”.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku thuhet se për shkak të sigurisë një korsi e rrugës do të jetë e mbyllur për qarkullim.
Po ashtu në njoftim thuhet se në mesditë rruga për qarkullim në drejtim Mitrovicë-Jarinje do të jetë e mbyllur plotësisht përreth dy orë, derisa të largohen mjetet e rënda.
“Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar bën të ditur se sot njësitet e KFOR-it do të largojnë mjetet e rënda (kamionët) e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur ‘Përroi i Zhazhës’”, thuhet në njoftim.
“Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinje, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve. Përgjatë kësaj kohe njësitet policore do të asistojnë KFOR-in, si dhe do të ri-orientojnë trafikun”, vijon njoftimi.
