Kurti thotë se Vuçiq po e kërkon makinën e udhëtimit në kohë, herë dëshiron të kthehet në 1999 e herë në 2007
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ende e kërkon ndarjen e Kosovës dhe se për këtë është në kërkim të një makine për udhëtim në kohë, që të kthehet në vitin 1997 apo në vitin 2007
Këto deklarata, Kurti i ka dhënë duke folur me gazetarin e The Economist, Tim Judah, i cili kishte raportuar nga lufta e fundit në Kosovë.
“… është në kërkim të një makine për udhëtim në kohë… nganjëherë ai dëshiron që të kthehet në vitin 1999 e nganjëherë në vitin 2007 (para shpalljes së pavarësisë së Kosovës)”, ka thënë Kurti, transmeton Express.
“Por, e kuptoni… ky tren ka ikur. S’mund të kthehemi më atje”, ka vazhduar Kurti gjatë bisedës me Judah.
Judah ka shkruar se shumë diplomatë e shohin një kokfortësi te Kurti dhe kanë përshtypjen se ai ka humbur një pjesë të mbështetjes nga Perëndimi, por sipas tij, politika e tij e lojës së ashpër me Vuçiqin po sjell rezultate për Kosovën.https://zeri.info/inarticle.html
“Vuçiq është në disavantazh dhe është detyruar të lëshojë pe në disa çështje gjatë muajve të fundit. Më 15 dhjetor, Kurti aplikoi për anëtarësim në BE dhe i ka siguruar një premtim Kosovës se nga viti 2024, qytetarëve të Kosovës nuk do t’u kërkohen viza Schengen”, ka shkruar Judah.
Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Judah, është e vështirë edhe për shkaqe personale, në kuptimin e raporteve mes liderëve. Ai ka kujtuar një sekuence të shkurtër gjatë intervistimit të ish-prijësit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.
“Para disa viteve, e intervistova Hashim Thaçin, i cili ishte udhëheqës i guerilës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në kohën që Vuçiq ishte ministër i qeverisë së Millosheviqit. Kur përfundoi intervista, ai më pyeti: A do ta takosh Aleksandrin? U stepa, por pastaj e kuptova që po fliste për Vuçiqin”, rrëfen Judah.
Judah, duke bërë një krahasim, thotë se tani nuk ka më qasje të tillë, ku liderët tregojnë afërsi duke iu referuar njëri-tjetrin me emër. Sipas tij, kjo gjë mund të jetë pengesë që Kosova e Serbia ta arrijnë një marrëveshje së shpejti.
“Vuçiq dhe Kurti e përçmojnë njëri-tjetrin. Kur Vuçiq ishte ministër (i Millosheviqit), Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb. Më 1 dhjetor, Vuçiq publikisht e quajti Kurtin ‘llum terrorist’. Mungesa e raporteve personale, e bënë shumë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, ka vazhduar gazetari.
