Mbyllja e pikës kufitare në Merdar, Flasin nga kompanitë e autobusëve
Në ditët e fundit në pikat kufitare kanë filluar të shtohen kolonat.
E, pika kufitare e cila është më e frekuentuar nga mërgimtarët për të ardhur në vendlindje është ajo në Merdar.
Por, që nga mbrëmë kjo pikë nuk mund të shfrytëzohet për shkak që edhe aty serbët kanë vendosur barrikada.
Bëhet fjalë për pjesën nga Kurshumlia në drejtim të pikës kufitare.
Si shkak i kësaj, kompanitë e autobusëve të cilët udhëtojnë për në Evropë janë detyruar të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.
Nga “Zhitia Turist”, e cila ka linje të përditshme për në vendet e Evropës, kanë thënë për Front Online se gjithmonë kanë kaluar nga pika kufitare në Merdar, por tash e tutje pas bllokimit aty po e shfrytëzojnë pikën nga “Dheu i Bardhë”.
“Ne gjithmonë kalojmë ka pika kufitare në Merdar, por tash për momentin jemi duke kaluar ka pika kufitare Dheu i Bardhë, e andej nuk po ka problem njëherë”, ka thënë për Front Online, Merita Demolli, menaxhere në kompaninë “Zhitia Turist”.
Sipas saj, në këtë pikë kufitare nuk ka pasur pritje.
“Në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, deri tani kur po flasim nuk ka pas pritje, tash nisjen e kemi pasdite dhe të shohim çka po bëhet”, është shprehur Demolli.
Edhe kompania “Sharr Travel”, ka njoftuar se si pasojë e vendosjes së barrikadave në Merdar dhe mos rrezikimit të udhëtarëve nëpër Serbi kanë vendosur që të shfrytëzojnë rrugët alternative.
“Ju njoftojmë se konform informacioneve zyrtare nga agjencia për menaxhimin e kufijve ne do të veprojmë me kohë duke gjetur rrugë alternative sipas nevojës së rastit për të ofruar udhëtim të sigurt duke eliminuar Serbinë për të arritur në Kosovë, pra kalimet kufitare Kroaci- Mali i Zi- Shqipëri- Kosovë”, thuhet në njoftimin e Sharr Travel.
Kurse, nga kompania turistike “Shpejtimi”, kanë deklaruar për Front Online se kanë kaluar nëpër Serbi dhe se nuk kanë pasur asnjë problem, por vetëm për shkak të mbylljes së pikës në Merdarë kanë kaluar tek “Dheu i Bardhë”.
“Për shkak të mbylljes së kufirit në Merdarë është detyruar të kalojë në kufirin dytësor që e kanë kompanitë e autobusëve që është pika kah “Dheu i Bardhë”. Në kalimin nëpër Serbi nuk kemi pasur asnjë problem”, ka thënë për Front Online, Drenusha Abdullahu, punëtore në kompaninë turistike “Shpejtimi”.
E, pyetur se a ka pasur pritje në këtë pikë kufitare, ajo ka thënë se jo.
“Nuk ka pasur ndonjë vonesë të linjës së autobusit. Tash, ndoshta do të ketë vonesa sepse do të jetë ndoshta fluksi më i madh dhe mund të ketë edhe kolona më të gjata”, ka shtuar Abdullahu.
Pika kufitare në Merdar është mbyllur mbrëmë për qarkullim.
Këtë e ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Kjo pikë është mbyllur për shkak të barrikadave që serbët kanë vendosur në pjesën e Serbisë.
Qendra ka bërë thirrje të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare.
“Pikë Kalimi Kufitar në Merdare është i mbyllur për Hyrje-Dalje për faktin se në Republiken e Serbisë janë vendosur barrikada rreth 2 kilometra nga Kufiri në Merdare. Deri në njoftim tjetër PKK Merdare do jetë e mbyllur. Të shfrytëzohen Pikë Kalimet Kufitare tjera!”- thuhet në njoftim.
