Jevtiq u bën thirrje edhe serbëve në jug të Kosovës që t’i braktisin institucionet
Zëvendëspresidenti i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, njëherësh edhe kryetar i Shtërpcës, ka ftuar edhe serbët në jug të Kosovës të largohen nga institucionet e vendit.
Jevtiq për mediumin “Euronews Serbia” ka thënë se një propozim të këtillë ia kishte dhënë edhe kryetarit të subjektit të tij politik, Goran Rakiq.
Ai është shprehur i bindur se sikurse serbët në veri, edhe ata në jug do të vepronin njëjtë duke u tërhequr nga institucionet e Kosovës.
“Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i kolegëve të mi. Unë personalisht e kam njoftuar edhe me shkrim kryetarin e Listës Serbe, z. Goran Rakiq, se vlerësoj që edhe përfaqësuesit politikë serbë, po edhe serbët në përgjithësi nga jugu i Ibrit të largohen nga institucionet, dhe kjo është një çështje që ende është e hapur. Nëse nuk ndryshon situata, nëse nuk ndryshon kursi dhe qëndrimi i Prishtinës zyrtare, dhe nuk ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve, jam pothuajse i sigurt se të njëjtin vendim do ta marrin edhe serbët në jug të Ibrit”, ka deklaruar Jevtiq.

