Reagon Enver Hoxhaj pas arritjes së marrëveshjeve Kosovë – Shqipëri

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se nevojitet një grup pune për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij marrëveshjet për çështje “ekonomike dhe tregtare hasin pengesë” në zbatim duke shtuar se “vullneti politik është më i madh se sa kapaciteti për t’i zbatuar ato”.

Hoxhaj tha se partneriteti mes dy shteteve shqiptare duhet parë në raport me procesin e integrimit evropian.

“Partneriteti mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet parë dhe në rrafshin e asaj që ndodh me integrimin evropian. Nëse BE e sheh zgjerimin në Ballkanin Perëndimor të pamundshëm në këtë kohë, atëherë integrimi mbarëshqiptar do të duhet të jetë prioritet”, tha Hoxhaj.

Ish-ministri i Jashtëm shtoi se edhe nëse ndodh hapja e negociatave me Shqipërinë, zgjerimi nuk do të jetë prioritet i BE ndaj duhet zgjeruar bashkëpunimi i brendshëm.

“Nëse BE nuk zgjerohet drejt Kosovës dhe Shqipërisë, jam i idesë që Shqipëria dhe Kosova të zgjerohen ndaj njëra-tjerës në rrafshin politik, ekonomik dhe tregtar”, deklaroi Hoxhaj.

Go to TOP