Gashi: Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, duke thënë se ky proces është një moment i rëndësishëm për përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të partisë.
Gashi ka shkruar se Kuvendi i LDK-së, i cili mbahet të enjten në ora 18:00, nuk është vetëm një mbledhje statutare, por një moment ku vendoset drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe roli që ajo mund t’i ofrojë Kosovës në vitet e ardhshme.
“Ky është çasti kur duhet të mbizotërojnë arsyeja mbi emocionin, ideali mbi interesin e ngushtë dhe vizioni mbi kalkulimet afatshkurtra”, ka theksuar Gashi.
Sipas tij, në këtë proces duhet të vendosen themelet e një LDK-je të së ardhmes, me identitet të qartë, lidership të fortë, vlera të palëkundura dhe guxim për të udhëhequr.
Ai ka vlerësuar se vendimet që do të merren të enjten nuk lidhen vetëm me situatën aktuale, por do të përcaktojnë mënyrën e funksionimit politik të LDK-së dhe raportin e saj me qytetarët.
“Kosova ka nevojë për një LDK të fortë. Dhe një LDK e fortë fillon me vendime të drejta, të mençura dhe largpamëse. E ardhmja nuk pret. Është koha ta ndërtojmë”, ka shkruar Arben Gashi. /Kosova.info/
