Demokracia e prangosur në LDK!
Shkruan: Florim ZEQA
Pyetja më e shpeshtë që më është bërë ditëve të fundit është kjo: “Aty ku jeton, në Itali, a keni nëndegë apo degë të LDK-së? A je i zgjedhur delegat për Kuvend, ngase duhet të kesh një bazë deleguese, duhet ta respektosh Rregulloren dhe Statutin e partisë. Mos e harro se ka rend dhe rregull në LDK!”
As rend e as rregull, anarki në LDK
Sikur të kishte rend dhe rregull, demokraci dhe meritokraci, sot në LDK nuk do ta kishim këtë klasë parazitësh dhe kusarësh politikë, parashutistësh dhe matrapazësh politikë, e as partinë në vendin e tretë!
Të dashur miq, komentues të respektuar, unë jam duke e kërkuar ndryshimin dhe jo vazhdimësinë e kapjes së LDK-së nga klanet dhe grupet e interesit!
Statuti aktual i partisë është i adaptuar për interesat e klanorëve të partisë dhe nuk është aspak konform rrethanave kohore!
Pikërisht Statuti, të cilit i referohen klanorët, është bërë pengesa kryesore e ndryshimit substancial në LDK, i cili i favorizon grupet e interesit dhe kapësit e LDK-së, ata të cilët ia patën pamundësuar kandidimin edhe ish-presidentit, Dr. Fatmir Sejdiu!
Do ta nxjerrim “Titanikun” nga fundi i detit
Sikur të ishte e lehtë mposhtja e klaneve dhe grupeve të interesit, e falangave sorosiane, servilëve dhe yryshnikëve të pushtetit në LDK, nuk do të më kishte ardhur radha që të kandidoj për kryetar, për shkak të vargut të gjatë të ambicieve për pushtet!
I vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë, pa asnjë ambicie për pushtet apo privilegj, e mora guximin intelektual dhe qytetar që të marrë përsipër përgjegjësinë e ringritjes së LDK-së!
Përveç atyre që janë pjesë e klaneve dhe grupeve të interesit, të cilët mund të mbështeten dhe të arrijnë më lehtë në krye të partisë, për ne të tjerët, që jemi jashtë atyre rrathëve viciozë, kandidatura për kryetar është një sfidë e rëndë, por jo e paarritshme!
Zgjedhja ime e mundshme nuk paraqet privilegj e as komoditet, por do të jetë një barrë e rëndë; e rëndë vetëm të mendohet, shumëfish më e rëndë të realizohet!
Heqja e pragut prej 50+1 % të votave të delegatëve për aprovimin e kandidaturave për kryetar të partisë, i vendosur padrejtësisht nga klanorët, do të thotë heqje e prangave të demokracisë në LDK!
Parimi bazik i demokracisë së brendshme duhet të jetë ky: secili duhet ta ketë të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e partisë!
Nëse hiqen barrierat burokratike statutore, me besim në Zot dhe në elektorat, do ta nxjerrim “Titanikun” nga fundi i detit!
Katër nëndegë të themeluara, të harruara nga Kryesia Qendrore
Sa i përket organizimit politik të LDK-së në Itali, ai erdhi si produkt i interesave personale të disa prej kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, të cilët erdhën në Itali në mesin e shtatorit të vitit 2024, “si të autorizuar nga Kryesia Qendrore në Prishtinë” për themelimin, fillimisht, të nëndegëve të LDK-së, pastaj të degës në Itali.
Përfaqësuesit politikë, përmes planit paraprak dhe lidhjeve nepotike, veçse i kishin caktuar kryetarët e nëndegëve dhe nga shtatë anëtarë të kryesisë për secilën nëndegë!
Nga ajo kohë ekzistojnë katër nëndegë të themeluara në letër, pa arritur deri më sot të koordinohen për themelimin e degës dhe zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë!
Kur jemi te ky segment, në tri prej nëndegëve të themeluara kam asistuar, por nuk kam pranuar të bëhem pjesë e tyre për shkak të zgjedhjes antidemokratike (me aklamacion) të kryetarëve dhe të shtatë anëtarëve të kryesisë, të nxjerrë “nën tavolinë”!
Për më shumë, kliko linkun e mëposhtëm:
Nga ajo që mund të keni lexuar në linkun e mësipërm, për Kryesinë Qendrore të LDK-së asnjëherë nuk ka qenë prioritet ngritja dhe konsolidimi i LDK-së në diasporë, por vetëm grumbullimi i votave nga mërgimtarët, siç ndodhi me themelimin e katër nëndegëve në Itali, të cilat u harruan dhe u injoruan tërësisht nga klanet dhe grupet e interesit pas procesit zgjedhor të 9 shkurtit 2025!
Për më keq se kaq, kryetari në largim i LDK-së, si tifoz i flaktë i FC Milan, bukur shpesh ka ardhur në Milano për t’i përcjellë ndeshjet e kampionatit italian, por asnjëherë nuk “ka gjetur kohë” të takohet me bashkatdhetarët, përkatësisht me elektoratin e subjektit që drejton!
Mos themelimi i degës së LDK-së në Itali për dy vjet rresht e vërteton edhe paaftësinë e atyre që morën barrën që nuk u takon!
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur katër kryetarë të katër nëndegëve dhe 44 anëtarë të katër kryesive, për dy vjet, nuk arritën me “hapa breshke” ta themelojnë një degë të premtuar në shtetin italian!
Ndëshkimi i pret dështakët politikë dhe uzurpatorët, e jo ata që angazhohen për reformim të thellë dhe ndryshim rrënjësor të partisë. Do ta kenë bekimin e Zotit reformatorët dhe ata që punojnë me përkushtim për ngritjen e LDK-së!
Bëhu edhe ti pjesë e ndryshimit!
Florim Zeqa, kandidat për kryetar të LDK-së
