Posta e Kosovës përkujton Adem Demaçin me pullë postare

Filatelia e Postës së Kosovës ka përkujtuar figurën emblematike të historisë së Kosovës, Adem Demaçin, përmes një pulle postare kushtuar jetës, veprës dhe idealit të tij.

Në një postim, Filatelia e Postës së Kosovës ka theksuar se pulla postare nderon kontributin e Demaçit për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin kombëtar.

“Filatelia e Postës së Kosovës përkujdeset të përkujtojë figurat emblematike të historisë sonë. Pulla postare kushtuar Adem Demaçit nderon jetën, veprën dhe idealin e tij për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se sot në Kosovë është shënuar tetë vjetori i ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur gjerësisht si “Mandela i Kosovës”.

Adem Demaçi, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, u lind më 26 shkurt të vitit 1936 në Prishtinë. Ai ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2018, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë politike dhe kombëtare të shqiptarëve.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Demaçi u angazhua për të drejtat dhe barazinë e Kosovës me republikat e tjera, duke u bërë një nga figurat më të njohura të rezistencës kombëtare. Për shkak të veprimtarisë së tij politike, ai kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë, por pas lirimit vazhdoi angazhimin e tij për çështjen kombëtare.

Për qëndresën dhe kontributin e tij, Adem Demaçi u cilësua edhe si “Nelson Mandela i Evropës”. Ai drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri më 1995, ndërsa në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë viteve 1998-1999, në periudhën e takimeve të Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, Demaçi ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Po ashtu, ai shërbeu si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës gjatë viteve 2005-2007.


Go to TOP