Cakolli kërkon hetim për “Lule Gjeli”: Duhet të zbulohet identiteti, motivet dhe financimi eventual
Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka reaguar lidhur me debatin për profilet anonime në rrjetet sociale, duke kërkuar që rasti i profilit “Lule Gjeli” të hetohet deri në fund.
Cakolli ka deklaruar se vitet e fundit, personat që kanë kritikuar publikisht vendime, veprime apo qëndrime të pushtetit janë përballur shpesh me sulme nga profile të rreme, duke përmendur edhe disa llogari të tjera anonime.
Sipas tij, gjuha e përdorur në këto sulme, etiketimet dhe mënyra e organizimit të tyre kanë pasur qëllim linçimin, shpifjen dhe diskreditimin e zërave kritikë. Ai ka thënë se kundërshtarët apo kritikët janë përballur me akuza të tilla si “i paguar”, “pro-serb”, “i shitur” apo “kundër shtetit”.
Cakolli ka vlerësuar se është e vështirë të besohet që një numër i madh profilesh anonime, të cilat sipas tij përdorin të njëjtin fjalor dhe mbrojnë interesa të njëjta politike, të mos kenë një prapavijë të organizuar.
Ai ka kërkuar që rasti i “Lule Gjelit” të hetohet për të zbuluar identitetin e autorit, motivet, lidhjet eventuale dhe mënyrën e financimit, si dhe për të verifikuar nëse pas këtij fenomeni ka ekzistuar një skemë më e gjerë.
Sipas Cakollit, tolerimi i sulmeve të tilla për një periudhë të gjatë ka dëmtuar debatin publik dhe ka thelluar polarizimin në shoqëri. /Kosova.info/
