Abazi akuzon: Lule Gjeli është pjesë e një lufte hibride dhe duhet të hetohet

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar lidhur me debatin për profilin “Lule Gjeli” duke e cilësuar atë si pjesë të asaj që ai e quan “luftë hibride”.

Abazi ka pretenduar se ky profil ka vepruar në shërbim të kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtares së Vetëvendosjes, Dejona Mihali duke akuzuar se përmes tij janë shpërndarë informacione të pavërteta dhe janë sulmuar kundërshtarë politikë.

Sipas Abazit, aktiviteti i këtij profili ka ndikuar edhe në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke pretenduar se janë sulmuar zyrtarë amerikanë dhe janë deformuar informacione për qëllime politike.

Ai ka ngritur akuza edhe për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në SHBA dhe ka pretenduar se janë përhapur narrativa të pavërteta për çështje politike, përfshirë edhe kandidaturën e tij për ambasador të Kosovës në SHBA.

Abazi ka kërkuar që “Lule Gjeli” të merret në pyetje nga organet e drejtësisë për, siç pretendon ai, “fushata denigruese me pasoja të rënda”, ndërsa ka kërkuar që prokurori që ka marrë rastin ta ftojë për dëshmi duke thënë se ka pasur një takim me personin pas këtij profili në Delaware në vitin 2021. /Kosova.info/


Go to TOP