Rama: Po lirohen banesat komunale të shfrytëzuara në mënyrë të paligjshme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna po vazhdon procesin e lirimit të banesave komunale, të cilat, sipas tij, për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore.

Rama ka theksuar se prona publike nuk mund të uzurpohet apo të trajtohet si pronë private duke nënvizuar se detyrimi i institucioneve është mbrojtja dhe menaxhimi i saj në përputhje me ligjin.

“Po vazhdojmë me vendosmëri lirimin e banesave komunale që për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore”, ka shkruar Rama.

Ai ka paralajmëruar se Kryeqyteti do të vazhdojë të veprojë pa kompromis ndaj çdo rasti të uzurpimit të pronës komunale duke kërkuar që ajo të rikthehet në funksion të ligjit dhe të menaxhohet me përgjegjësi e transparencë. /Kosova.info/


Go to TOP