Zjarr masiv në Norvegji, mbi 100 banesa shkatërrohen

Një zjarr i madh ka përfshirë zonën rezidenciale të Krokstadelvës, në qytetin Drammen, rreth 35 kilometra në perëndim të Oslos duke shkatërruar mbi 100 banesa dhe detyruar evakuimin e më shumë se 400 banorëve.

Zjarri shpërtheu të premten pasdite në një banesë dhe u përhap me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, thatësirës, erërave të forta dhe dendësisë së madhe të ndërtesave. Flakët përfshinë edhe një zonë pyjore pranë lagjes.

Sipas policisë norvegjeze, zjarri ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll, megjithatë rreziku i përhapjes është zvogëluar. Në zonë vazhdojnë të ketë vatra të vogla dhe zjarre të fshehta, ndërsa tre helikopterë dhe dhjetëra ekipe zjarrfikësish vazhdojnë operacionin për shuarjen e flakëve.

Në ndihmë të autoriteteve lokale kanë mbërritur edhe ekipe zjarrfikëse nga rajone të tjera të Norvegjisë lindore.

Autoritetet konfirmojnë se nuk ka viktima apo persona të zhdukur. Një zjarrfikës ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa disa banorë janë trajtuar nga ekipet shëndetësore për shkak të ekspozimit ndaj tymit.

Zjarrfikësit shpresojnë se reshjet e shiut të parashikuara gjatë ditës, rreth 12 milimetra sipas meteorologëve norvegjezë, do të ndihmojnë në vënien nën kontroll të plotë të zjarrit. Sipas autoriteteve, moti i nxehtë dhe mungesa e reshjeve gjatë javëve të fundit krijuan kushte ideale për përhapjen e shpejtë të flakëve.


Go to TOP