Demaj: Donika Gërvalla e shkatërroi diplomacinë e Kosovës më shumë se ngërçi politik
Në debatin televiziv “Click” në RTV21, analisti Emanuel Demaj ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ish-ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke e konsideruar atë përgjegjësen kryesore për gjendjen e diplomacisë së Kosovës.
Sipas Demajt, diplomacia kosovare nuk është dëmtuar aq shumë nga ngërçi politik dhe mungesa e institucioneve funksionale, sa nga mënyra se si është udhëhequr diplomacia gjatë mandatit të Gërvallës.
“Diplomacia e Kosovës u shkatërrua nga Donika Gërvalla më shumë sesa nga ngërçi politik. Donika Gërvalla ishte shkatërrimi i diplomacisë së Kosovës”, deklaroi Demaj gjatë debatit.
Ai vlerësoi se gjatë mandatit të ish-ministres Gërvalla, Kosova humbi terren në arenën ndërkombëtare dhe se diplomacia nuk arriti të prodhonte rezultatet e nevojshme në avancimin e interesave shtetërore.
Deklaratat e Demajt u bënë në kuadër të një debati mbi sfidat e politikës së jashtme të Kosovës dhe ndikimin që udhëheqja e deritanishme ka pasur në pozitën ndërkombëtare të vendit.
