Anibari mbledh në Pejë artistë, regjisorë e animatorë nga vende të ndryshme

Për të 17-in vit me radhë, Peja është shndërruar në kryeqendrën e animacionit ndërkombëtar.

Festivali ndërkombëtar Anibar ka mbledhur artistë, regjisorë dhe dashamirës të artit dhe të filmave të animuar nga vende të ndryshme të botës, duke sjellë një javë të mbushur me filma, punëtori dhe aktivitete kulturore.

“Anibari, por edhe festivalet si Anibari, janë tepër të rëndësishme për vendin tonë. Përveçse e vendosin Kosovën në hartën botërore të festivaleve të rëndësishme, ajo që ka bërë Anibari ndër vite është krijimi i mundësive konkrete për rininë tonë. Natyrisht që do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga ana e ministrisë. Është ndër festivalet më të rëndësishme që kemi dhe përfiton nga përkrahja trevjeçare, e cila siguron mbështetje të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka thënë Saranda Bugujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit.

Organizatorët thonë se ndryshimi më i madh gjatë këtyre 17 viteve nuk është vetëm rritja e festivalit, por edhe zhvillimi i vetë animacionit në Kosovë.

“Kemi të rinj e të reja dhe audiencë, të cilët janë të edukuar për sa i përket mediumit të animacionit, shfaqjes, shikimit të filmave, shfaqjes së filmave dhe krejt aktiviteteve që i bëjmë. Ky është një ndryshim shumë i madh, për të cilin jemi shumë krenarë që kemi mundur sado pak të kontribuojmë nëpërmjet aktiviteteve të cilat i zhvillojmë çdo edicion të festivalit”, ka thënë Arba Hatashi, drejtoreshë e Festivalit Anibar.

Përveç filmave, Anibari po investon edhe në brezin e ardhshëm të animatorëve përmes punëtorive dhe programeve edukative.

Dimensionit ndërkombëtar të festivalit i japin ngjyrë edhe autorët nga vende të ndryshme të botës.

Për animatoren kineze që jeton në Britaninë e Madhe, Puzhen Zhang, Anibari është festivali ku filmi i saj po shfaqet për herë të parë.

“Ky është festivali i parë i filmit tim dhe premiera botërore e tij. Për mua është shumë domethënëse të jem këtu. Kam dëgjuar më herët për Anibarin dhe mendoj se është një festival i mrekullueshëm”, ka thënë Puzhen Zhang, animatore.

Me filma nga e gjithë bota, programe edukative dhe pjesëmarrje të autorëve vendorë e ndërkombëtarë, Anibari vazhdon ta pozicionojë Pejën si një nga qendrat më të rëndësishme të animacionit në rajon, duke e kthyer festivalin në shumë më tepër sesa një javë shfaqjesh filmash.


Go to TOP