Përurohet “Ballkoni Panoramik” në Gjocaj të Junikut

Në Gjocaj të Junikut është përuruar “Ballkoni Panoramik”, një projekt i realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Shqipëri me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Projekti synon promovimin e potencialit turistik të zonës, zhvillimin e ekonomisë lokale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Shqipëri e në funksion të zhvillimit të turizmit, në Gjocaj të Junikut është përuruar “Ballkoni panoramik”. Projekti “Mirëdita Junik” është mbështetur nga Bashkimi evropian dhe është zbatuar në partneritet nga CwB Kosova, komuna e Junikut dhe Bashkia e Mirditës.

“Brenda këtij projekti ka pas shumë aktivitete, por dy prej më të rëndësishmeve që janë në infrastrukturë , është ky ballkon edhe është ‘Shtegu i Gradinës’, shteg prej 2.2 km që lidh komunën e Junikut me bjeshkët por edhe me një lokalitet arkeologjik siç është Gradina. Sa i përket ‘Ballkonit’ është pjesë e rrugës ku qindra e qindra turistë e kalojnë duke shkuar në Gjeravicë, në Gropën e Erenikut, pra është pjesë e kësaj marshute. Ideja është që gjatë rrugës të kenë edhe një pikë më tepër, një pikë atraktive përmes së cilës mund të shihet gjithë Rrafshi i Dukagjinit por edhe si pikë për pushim”, tha Shoshi.

“Ne dimë mirë se zhvillimi i turizmit nuk bëhet për një ditë. Krahas projekteve të mëdha truizmi ndërtohet edhe me punë më të vogla. Ky ballkon është një mundësi e mirë që vizitorët ta shohin Junikun nga një kënd tjetër. Nga këtu shihet bukuria e vendit tonë dhe bjeshkët që e rrethojnë si mburojë . Kush ndalet këtu mund të shijojë pamjet, të marri një kujtim të mirë dhe besoj të ketë një arsye më shumë për t’u kthyer përsëri në Junik”, tha Ruzhdi Shehu, kryetar i Junikut.

Kurse, Agon Batusha, zëvendësministër i MAPL tha se përmes bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian vlerat tona kulturore e natyrore po shndërrohen në mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, turizëm cilësor dhe ekonomi lokale më të fortë.

“Si ministri besojmë që zhvillimi i qëndrueshëm fillon në nivel lokal prandaj mbetemi të përkushtuar që komunat të përfitojnë sa më shumë nga programet e BE dhe partnerët tonë ndërkufitar. Çdo projekt i tillë është një investim i drejtpërdrejt te qytetarët, për ekonomi lokale dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Batusha.

Në kuadër të këtij programi gjatë ditës janë organizuar edhe punëtori të ndryshme. Në Morenicë të Junikut është mbajtur Festivali tradicional “Kah Drita” ndërsa më 7 korrik në bjeshkët e Junikut është paraparë ecja në bjeshkë dhe transhumanca. Kjo e fundit përfshinë aktivitetet e përgatitjes së produkteve tradicionale blegtorale.


Go to TOP